Kapërce te përmbajtja
Kreu
KreuHistoria jonëProjekteBëjeni tuajin librinBibliotekaRrjeti
HomeArticles
Facebook

Zhvillimi i sektorit privat dhe efektet e tij

Alban Zogaj
14.5.22

Sektori privat është shtylla kryesore për tejkalimin e problemit të papunësisë dhe varfërisë duke ofruar rritje, duke inkurajuar iniciativa ndërmarrëse dhe duke krijuar vende pune të qëndrueshme.

Pse duhet të insistojmë në zhvillim ekonomik përmes zhvillimit të sektorit privat? Zhvillimi i sektorit privat jep efekte të shumëfishta në shoqëri, të cilat do t’i diskutoj në vazhdim. Së pari, zhvillimi i sektorit privat krijon pasuri për pronarët e bizneseve, dhe ky krijim i pasurisë është stimulim i mjaftueshëm për rritje të investimeve në sektorin privat, të cilat pastaj krijojnë vende të reja pune. Si rezultat, sektori privat krijon të ardhura shtesë për familjet, të cilat e rrisin nivelin e konsumit dhe fusin ekonominë në ciklin e zhvillimit. Sektori privat është gjithashtu shpresa kryesore për krijimin e vendeve të reja të punës në shkallë të gjerë. Zhvillimi i sektorit privat rrit konkurrencën në treg, e cila pastaj ndikon në çmime dhe në cilësinë e mallrave dhe shërbimeve. Për shoqërinë, kjo do të thotë mallra dhe shërbime më të lira, e gjithashtu edhe zgjedhje më të madhe të produkteve. Liria për të zgjedhur është shtyllë fundamentale e zhvillimit ekonomik dhe njerëzor. Është shumë e rëndësishme të theksohet se është kryesisht zhvillimi i sektorit privat ai që krijon inovacion. Qëllimi i fitimit i shtyn bizneset të investojnë në produkte dhe në tregje të reja. Investimet e tilla janë burimi kryesor i inovacionit brenda ekonomive. Përkundër kritikave të shumta, zhvillimi i sektorit privat ka gjithashtu kapacitetin e rishpërndarjes së të ardhurave. Është ai burimi kryesor i fondeve/buxhetit për rishpërndarjen e të ardhurave. Përmes taksave, gjeneron të ardhura për të financuar shpenzime esenciale publike për shërbime thelbësore dhe mbrojtje sociale. Sektori privat dhe zhvillimi i tij kanë ndikim të madh edhe në sistemin e arsimit. Përparimi individual i bazuar në meritë dhe punë profesionale, shtyn tregun e punës drejt arsimimit më cilësor. Të rinjtë të cilët janë të kualifikuar do të jenë në pozitë të zgjedhin ndërmjet mundësive të punësimit publik apo privat. Meqenëse ekziston një lidhje pozitive (e vërtetuar) ndërmjet edukimit të lartë dhe nivelit të të ardhurave, edukimi cilësor, në shkëmbim, shpie në standarde më të mira të jetesës dhe zhvillimit njerëzor. Zhvillimi i sektorit privat ndihmon edhe shërbimet publike. Aty ku fondet e qeverisë janë të kufizuara, sektori privat merr një rol të rëndësishëm në partneritet. Sektori privat, në këtë aspekt, shpesh ofron shërbime transporti, shërbime komunikimi, teknologji informative, mbështetje për burimet njerëzore dhe shërbime tjera për përforcimin e administrimit mbi ofrimin e shërbimeve në nivel lokal dhe nacional. Në anën tjetër, aktualisht në ekonominë tonë ekzistojnë barriera të shumta për një sektor privat efektiv dhe të zhvilluar. Këto përfshijnë kryesisht, rregullatorët e shumtë dhe të dobët. Nevojitet kornizë transparente dhe legjislacion sistematikisht i zbatuar për ligjin komercial, dogana, prona dhe kontrata. Rregullat e parashikueshme me administrim të drejtë, të përkrahura me mekanizma për zgjidhjen efikase të mosmarrëveshjeve, janë thelbësore për ndërmarrësit që të angazhohen në projekte afatgjate që iu mundëson atyre të investojnë dhe të zhvillohen, të krijojnë inovacione dhe te shpërndajnë njohuritë dhe produktet e tyre. Rregullat jo të drejta, korrupsioni, zbatimi arbitrar, kërkesat tjera të vështira dhe praktikat joefikase e kufizojnë, për të mos thënë ngufasin, ndërmarrjen private. Në mjediset ku përqindje e madhe e ekonomisë funksionon në joformalitet, ndërmarrjet e mëdha shpeshherë i zënë frymën energjisë dhe iniciativës ndërmarrëse, duke përfituar nga mjediset e dobëta institucionale të cilat ngrisin barriera kundër-konkurruese, duke mbrojtur pozitën e tyre dominuese në treg. Si përfundim, roli i sektorit privat në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror është shumë i rëndësishëm. Sektori privat është shtylla kryesore për tejkalimin e problemit të papunësisë dhe varfërisë duke ofruar rritje, duke inkurajuar iniciativa ndërmarrëse dhe duke krijuar vende pune të qëndrueshme. Në sektorin e zhvilluar privat, konkurrenca e drejtë lulëzon dhe efektet e saj mbi zhvillimin shoqëror paraqiten përmes çmimeve të ulëta, zgjedhjeve të shumta në produkte/shërbime, qasjes më të lehtë dhe cilësisë së përmirësuar të mallrave dhe shërbimeve. Për më tepër, tejkalimi i barrierave që parandalon sektorin privat nga zgjerimi kërkon një përgjigje të menduar mirë dhe komplekse duke angazhuar qeverinë, bizneset dhe shoqërinë në mënyrë të barabartë.