Kapërce te përmbajtja
Kreu
KreuHistoria jonëProjekteBëjeni tuajin librinBibliotekaRrjeti
HomeArticles
Facebook

Ekonomia si problem i koordinimit

Bardhyl Salihu
11.5.22

Studimi i përpjekjes së individit për t’i plotësuar dëshirat me resurse të pamjaftueshme që kanë përdorime alternative është detyra parësore e ekonomiksit si disiplinë.

Përmendeni ekonominë dhe shumicës ju shkon mendja tek paraja, çmimet e tregtia. Dhe të gjitha këto janë pjesë të rëndësishme të saj. Por në një këndvështrim tjetër ekonomia mund të shihet edhe si përpjekje për koordinimin e planeve individuale. Secili individ ideon plane për realizimin e dëshirave të tij subjektive. Ai synon dobinë duke e zëvendësuar gjendjen e tij aktuale me një më të mirë. Studimi i përpjekjes së individit për t’i plotësuar dëshirat me resurse të pamjaftueshme që kanë përdorime alternative është detyra parësore e ekonomiksit si disiplinë. Meqë individi është i pafuqishëm t’i prodhojë e sigurojë i vetëm të gjitha mallrat që i përmbushin dëshirat e tij, ai detyrohet të bashkëpunojë me individët e tjerë. Të blejë, shes e prodhojë duke i përdorur faktorët e tij apo të huaj të prodhimit. Të këmbejë me të tjerët njohurinë për shijet, resurset e teknologjinë, copëzat e së cilës janë të shpërndara në mendjet e të gjithë njerëzve të komunitetit. Pra, t’i koordinojë planet e tij me të tyret. Në ekonomiks këtë proces e ka ilustruar famshëm Leonard Reed me esenë “Unë, Lapsi”. Në të përshkruhet se si të gjitha pjesët e lapsit, si druri, llaku, grafiti, rrethi metalik, goma, dylli e ngjitësi duhet të përpunohen apo prodhohen veçmas. Për këtë nevojitet angazhimi i qindra-mijëra njerëzve, nga pastruesi në fabrikë e deri tek shoferi i kamionit transportues. Pjesëmarrësit e këtij procesi kompleks jo vetëm që nuk e njohin personalisht konsumatorin për të cilin bashkëpunojnë për prodhimin e lapsit, por nuk nevojitet ta njohin as njëri-tjetrin. Mjafton që kushtet e tregtisë të jenë të kënaqshme për palët e përfshira. Ata nuk duhet të jenë të motivuar as nga altruizmi. Mjafton synimi i përfitimit vetjak në treg që ata t’i përmbushin dëshirat e të tjerëve duke u ofruar mallra dhe shërbime me pagesë. “Edhe më e habitshme është mungesa e një krye-njeriu i cili i dikton apo i drejton me detyrim këto forca të panumërta që e sjellin lapsin në jetë”, përfundon Reed. “Asnjë gjurmë e një njeriu të tillë nuk shihet. Në vend të tij e gjejmë *dorën e fshehur*“. Ky proces i koordinimit të planeve është i mundshëm falë tregjeve sepse nga oferta dhe kërkesa në to lindin çmimet. Këto çmime përçojnë sinjale (informata) jetike tek konsumatorët dhe ndërmarrësit dhe e nxisin tek ta një veprim të caktuar. Për shembull, uljet e çmimeve i sinjalizojnë dhe i nxisin konsumatorët të blejnë më shumë, kurse ngritjet i sinjalizojnë dhe i nxisin ndërmarrësit të ofrojnë më shumë. Dallimi në mes çmimeve të inputeve dhe atyre të shitjes i orienton ndërmarrësit në transformimin e resurseve bazë në produkte finale me vlerë për konsumatorët dhe shoqërinë në përgjithësi. Dëshirat e të gjitha palëve përafrohen gjithnjë e më shumë në një proces të koordinimit i cili është vazhdimisht në fluks. Procesi spontan i tregut i zhvilluar nga bashkëveprimet e shumë njerëzve pa dirigjimin e një dore të vetme është i vështire për t’u imagjinuar. Njerëzit janë “konstruktivistë”, thoshte Friedrich Hayek, të prirë për të menduar që çdo institucion apo zhvillim shoqëror është vepër e qëllimshme dhe e kontrolluar e një individi. Në ekonomitë e centralizuara socialiste, ndalimi i pronës private i pamundëson tregjet normale. Askush nuk ka të drejtë ligjore të blejë apo të shes përveç ndërmarrjeve shtetërore, kështu që për t’i koordinuar planet e tyre qytetarët e ekonomive socialiste i drejtohen tregjeve të zeza. Në to çmimet shtrembërohen nga kufizimet shtetërore dhe nuk e reflektojnë saktë realitetin ekonomik të ofertës dhe kërkesës. Kësisoj kalkulimi ekonomik i domosdoshëm për koordinimin e planeve bëhet thuajse i pamundur. Burokratët shtetërorë planifikues, “ndërmarrësit” e supozuar, mbesin pa sinjalet e tregut dhe rrjedhimisht pa informatat për llojin dhe sasinë e mallrave që kërkohen nga konsumatorët. Në vendet socialiste prandaj pritej në radhë të gjata për gjëra esenciale si qumështi dhe kishte tepricë të gjërave joesenciale si shtypshkronjat. Planet shumëvjeçare të burokrateve për prodhim s’ishin veçse lëvizje kuturu nëpër errësirën ekonomike. Në ekonomitë e tregut, për dallim, ne shumicën dërrmuese të rasteve kërkesat e konsumatorëve përmbushen me sasinë e mjaftueshme të mallrave. Dallimi thelbësor nuk është se në ekonomitë e tregut nuk ka planifikim; por se kush planifikon për kënd. Shoqëritë shumë-milionëshe janë komplekse dhe planet e individëve ndryshojnë vazhdimisht se bashku me shijet, resurset dhe teknologjinë. Njohuria e shpërndarë copë-copë tek të gjithë, përfshirë njohurinë që nuk mund të paraqitet verbalisht (ang. tacit knowledge), përhapet nëpërmjet bashkëveprimeve spontane të pjesëmarrësve në treg. Tregu është proces i mësimit dhe koordinimit të planeve. Kur tregu nuk arrin të tejkalojë plotësisht njohurinë e papërkryer dhe joefikasitetet që rrjedhin nga ajo, burokratët janë në një pozitë edhe me të palakmueshme për ta bërë atë. “Njeriu me tipare kontrolluese e imagjinon që mund t’i rendisë njerëzit e një shoqërie të madhe me po aq lehtësi sa dora i renditë figurat e ndryshme në shah. Ai nuk e vëren që figurat e shahut nuk kanë princip tjetër të lëvizjes përpos shtytjes që ua bën dora; por që, në shahun e madh të shoqërisë njerëzore, secila figurë e ka një princip të lëvizjes krejtësisht të vetin”. Kështu shkroi perceptivisht Adam Smith\*.\*