Kapërce te përmbajtja
Kreu
KreuHistoria jonëProjekteBëjeni tuajin librinBibliotekaRrjeti
HomeArticles
Facebook

Mangësitë e konceptit të deficitit tregtar

Rinor Katrati
9.5.22

Deficiti tregtar dallimi mes eksportit dhe importit i cili vazhdimisht është përdorur si sinonim i dështimit të një ekonomie.

Kur një koncept ekonomik bëhet pjesë e diskursit publik, çrrënjosja e tij bëhet e vështirë edhe kur ai diskreditohet vazhdimisht si instrument i papërshtatshëm për udhëzim të veprimeve ekonomike. Një koncept i tillë është deficiti tregtar – dallimi mes eksportit dhe importit – i cili vazhdimisht është përdorur si sinonim i dështimit të një ekonomie. Ky konstatim asnjëherë s’ka mundur të largohet nga përdorimi ndonëse është diskredituar vazhdimisht me shekuj. Në botëkuptimin merkantilist, deficiti i përgjithshëm tregtar është indikator i dështimit të një ekonomie, ndërsa deficiti tregtar në raport me një shtet të caktuar është indikator se ai shtet është duke përfituar më shumë në raport me shtetin e tyre. Shembulli më i njohur i përqafimit të këtij botëkuptimi është ish-Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, i cili vazhdimisht është thirrur në ekzistencën e deficitit tregtar në kritikën e tij ndaj establishmentit. Ai këtë e ka bërë pjesërisht për shkak të botëkuptimit të tij të gabuar merkantilist e pjesërisht për shkak se ai koncept gjente strehë në retorikën e tij ksenofobe. Kështu, përshembull, Donald Trump vazhdimisht i ka kritikuar administratat e kaluara në ShBA për ekzistencën e deficitit tregtar në raport me Kinën. Sipas tij, një fakt i tillë nënkuptonte se Kina e ka shfrytëzuar ShBA-në ekonomikisht duke përfituar, ndërsa ShBA-të s’kanë përfituar asgjë nga këmbimi tregtar me Kinën. Qysh para qindra viteve, ekonomisti francez Frédéric Bastiat argumentonte se sa absurd është konstatimi se deficiti tregtar detyrimisht nënkupton dështim ekonomik. Përmes një gjuhe sarkastike, ai argumentonte se krejt çka duhet të bëj një shtet për të zbutur deficitin tregtar është të hedh produktet e importuara në oqean. Ndonëse ndjekësit e botëkuptimit merkantilist do ta konsiderojnë këtë zgjidhje si absurde, nëse ne i ndjekim premisat e tyre drejt konkluzionit të tyre logjik atëherë detyrimisht do të përfundojmë në atë zgjidhje qesharake. Analogjia e Bastiat është e duhur për t’i diskredituar argumentet proteksioniste, por kjo nuk do të thotë se deficiti tregtar asnjëherë nuk është problem. Realisht, ka shumë ekonomistë seriozë të cilët, në kontekste të caktuara, e shohin deficitin tregtar si problem të madh dhe avancojnë argumente të fuqishme se si qëndrueshmëria e tij paraqet rreziqe serioze për ekonominë. Mirëpo, në shumicën e rasteve, ata e shohin deficitin tregtar si simptomë të problemeve afatgjata strukturore të ekonomisë, i cili mund të zgjidhet vetëm përmes adresimit të tyre e jo përmes intervenimeve direkte proteksioniste. Sipas ekonomistit Gregory N. Mankiw, deficiti tregtar “nuk është problem në vetvete por simptomë e problemit.” Sipas tij, në kontekstin Amerikan, kur niveli i kursimeve kombëtare është i vogël, zhdukja e deficitit tregtar do të nënkuptonte që investimet e brendshme të zbresin poshtë në nivelin e kursimeve kombëtare. Por kjo s’është zgjidhje e problemit; përkundrazi. Prandaj ai propozon që zgjidhja më e mirë do të ishte zbutja e deficitit tregtar e shoqërurar nga një rritje në nivelin e kursimeve kombëtare. Ndonëse ka argumente për dhe kundër sa i përket deficitit tregtar të përgjithshëm, dhe ndonëse përgjigja adekuate varion nga konteksti në të cilin buron deficiti tregtar, koncepti i deficitit tregtar është tejet i mangët kur përdoret për të nxjerrë konkluzione sa i përket shkëmbimit tregtar me një ekonomi tjetër. Për të përdorur një analogji, çdo ditë, secili nga ne, është në deficit tregtar në raport me individët tjerë. Përshembull, unë çdo ditë blej mallra dhe shërbime nga individë të tjerë – nga pronarë të dyçaneve të ndryshme – ndërsa ata s’blejnë asgjë nga unë. Nëse ne pajtohemi me botëkuptimin merkantilist, atëherë unë jam duke u shfrytëzuar nga të tjerët dhe duhet të punojë në krijimin e një marrëdhënie fer me ta. Por kjo është absurde. Si mund të pres unë që, përshembull, pronarët e dyçanit Zara të më kontraktojnë në punë mua në këmbim të konsumit tim në dyçanin e tyre? Meqenëse një marrëdhënie e tillë mes të gjithë individëve do të ishte praktikisht e paarritshme dhe jo-efiçiente, asnjëri nga ne nuk e avancon një propozim të tillë në diskursin publik. Shumica nga ne kemi një burim të të ardhurave, të cilin pastaj e shpenzojmë në qindra vende të ndryshme, dhe kjo gjë neve na duket normale. Pra, asnjëri nga ne nuk ankohet se pse përfituesit e konsumit tonë nuk po blejnë asgjë nga ne në këmbim. Pse duhet të jetë raporti mes shteteve i ndryshëm? Ku është problemi nëse një shtet burim kryesor të të ardhurave ka eksportin drejt një shteti tjetër, ndërsa të gjitha këto të ardhura i shpenzon drejt dhjetëra shteteve tjera? Të argumentosh që këmbimi tregtar me këto shtete është jo-fer, është të thuash se këmbimi tregtar i një individi me dyçanin Zara dhe dyçanet tjera është jo-fer dhe duhet të ndryshohet. Të kuptosh këtë analogji do të thotë ta kuptosh absurditetin e pretendimeve merkantiliste. Për fund, deficiti tregtar është një koncept i cili vazhdimisht përdoret si matës themelor i performansës ekonomike, ndonëse vazhdimisht ekonomistët e kanë diskredituar konstatimin se deficiti tregtar detyrimisht nënkupton performansë të dobët ekonomike. Në interpretimin më të butë, deficiti tregtar është matës i mangët i cili duhet të komplementohet nga matës të tjerë, në mënyrë që të ketë një analizë kuptimplotë të performansës së një ekonomie. Mirëpo, si matës gjeneral i performansës ekonomike, deficiti tregtar është koncept çorientues. Për më tepër, deficiti tregtar, si mjet për të analizuar shkëmbimin mes dy ekonomive, është poashtu çorientues dhe mund të ndikojë që zyrtarët shtetëror të marrin vendime të gabuara ekonomike.