Kapërce te përmbajtja
Kreu
KreuHistoria jonëProjekteBëjeni tuajin librinBibliotekaRrjeti

IPhone apo jelek antiplumb? Shikimi i kostove alternative ndihmon në marrjen e vendimeve

Nataliya Melnyk, Bendukidze Free Market Center
1.1.70

Çdo gjë e ka një çmim. Ky çmim është gjithmonë relativ. Po ju tregojmë pse dhe si mund të përkufizohet kjo në kushtet e luftës dhe paqes.

Burimet e kufizuara dhe dëshirat e pakufizuara të njeriut nënkuptojnë se jemi gjithmonë të detyruar të zgjedhim mes alternativave. Duke bërë zgjedhjen tonë, ne sakrifikojmë mundësinë që nuk kemi zgjedhur. Kjo është arsyeja pse ekonomistët i konsiderojnë të gjitha shpenzimet si alternative.

Kostoja alternative është më e mira nga mundësitë e humbura si rezultat i zgjedhjes së bërë.

Paratë që shpenzoni për një blerje të caktuar janë para që nuk mund të shpenzohen më për diçka tjetër. Si në rastin e një vajze shtatëvjeçare nga Kropyvnytskyi që mblodhi para për të blerë një iPhone, por në vend të kësaj i shpenzoi për një jelek antiplumb për një ushtar ukrainas. Një alternativë për koston e një jeleku antiplumb është një iPhone.

Çmimi i produktit na ndihmon neve si konsumatorë të krahasojmë dëshirën tonë për ta blerë atë me dëshirën për të marrë artikuj alternativë që mund t’i blinim në vend të tij.

Vlera alternative është ana e dukshme e zgjidhjeve

Ekonomisti francez Frederic Bastiat (1801-1850) e shpjegoi vlerën alternative si një fenomen të dukshëm, dhe të padukshëm. Sipas studimit të tij, ekonomia duhet të na mësojë t’i vlerësojmë gjërat jo vetëm me atë që shikojmë, por me atë që nuk shikojmë.

Kur bëhet fjalë të zgjedhim për të blerë gjëra të caktuara, kjo duket e qartë. Por edhe nëse nuk është nevoja t’i shpenzoni paratë direkt për një veprim, kjo nuk do të thotë se kjo zgjedhje nuk ju kushton juve asgjë. Për shembull, koha që kalojmë në mënyrë konstante duke parë lajme që prej 24 shkurtit mund të përdorej për disa gjëra të tjera. Pavarësisht sa e vështirë mund të jetë për t’u fokusuar në diçka tjetër.

Ky parim mund të aplikohet për të gjitha vendimet në jetë. Për shembull, ju vendosni të lexoni një libër në vend të një tjetri. Ju i transferoni fondet në fondin “Kthehu gjallë”, jo për t’i kursyer ato për kohë paqeje. Mësoni si të bëheni dizajnues enterieri, jo inxhinier softuerësh. Të bëheni vullnetar në vend që të ktheheni në punë. Gjëja kryesore këtu është të mos e ekzagjerojmë. Jo të gjithë mund t’i bashkohen ushtrisë njëkohësisht, dhe jo të gjithë që nuk janë në front mund të bëhen vullnetarë. Në fund të fundit, nëse nuk do të punojë askush, dhe nuk fitohen paratë, atëherë ato nuk harxhohen. Nuk do të ketë dyqane, farmaci, spitale, shkolla, kafene apo restorante. Dhe duke fituar para, mund të mbështesni ekonominë me bizneset vendase dhe t’i dërgoni rregullisht para ushtrisë.

Asgjë nuk është falas

Ne shpesh dëgjojmë për arsimin, kujdesin shëndetësor apo strehimin falas. Kjo fjalë na çon në drejtim të gabuar, sepse ato nuk janë falas. Secila prej tyre kërkon burime të kufizuara. Përveç kësaj, ka mënyra alternative për t’i përdorur ato burime. Shteti vetëm mund t’i rishpërndajë kostot, por nuk mund t’i eliminojë ato. Prandaj, nëse rrisim financimin për ushtrinë, do të shpenzohet më pak për nevoja të tjera.

Aplikimi më i mirë i burimeve të disponueshme

Zhaku 16-vjeçar nga Franca vendos nëse do të pijë apo jo duhan. Nga njëra anë, pirja e duhanit do ta lejojë atë të ndihet komod me një grup shokësh që janë duhanpirës. Nga ana tjetër, ky aktivitet jo vetëm që është i dëmshëm për shëndetin e tij, por gjithashtu nuk kushton pak. Supozojmë sikur Zhaku i nënshtrohet presionit të bashkëmoshatarëve dhe zgjedh që të pijë duhan. Supozojmë se një paketë cigaresh kushton 8 euro. Duke zgjedhur të pijë duhan në një frekuencë prej një pakete në ditë, Zhaku shpenzon 2920 euro në vit. Një zgjedhje alternative do të ishte të investohej kjo shumë në një fond pensionesh, që mbrohet nga tatimi mbi të ardhurat, me 7 përqind në vit. Nëse ai e bën këtë për 10 vjet, në moshën 26 vjeçare do të kishte 40 344 euro, duke investuar vetëm 29 200 euro. Pas 10 vitesh, ai do të kishte 119 707 euro duke investuar 58 400 euro, dhe deri në moshën 46 vjeçare, kursimet e tij do të arrinin në 275 825 euro për një investim total prej 87 600 eurosh.

Çfarë “kostoje” ka zgjedhja e Zhakut? Nuk janë vetëm 87 600 eurot që janë shpenzuar direkt për një zakon të dëmshëm, por edhe efektet e fshehura në formën e uljes së jetëgjatësisë së pritshme, sigurimit mjekësor të kushtueshëm etj. Dhe ekziston gjithashtu edhe humbja e mundësisë së kursimit të 275 825 eurove, që do të ishte përdorimi më i mirë i mundshëm i burimeve të tij.

Mësimi? Kur merrni një vendim, mos e shpërfillni vlerën alternative. Është një aleat i shkëlqyer i zgjedhjeve të kujdesshme!

Ky artikull i Nataliya Melnyk nga partneri vendor i EFI-së, Bendukidze Free Market Center, u publikua për herë të parë në Rubryka