Kapërce te përmbajtja
Kreu
KreuHistoria jonëProjekteBëjeni tuajin librinBibliotekaRrjeti

Ose urdhra, ose kontrata

Dan Sanchez
29.11.23

Dy llojet e shoqërive të Ludwig von Mises

“Ka dy lloje të ndryshme të bashkëpunimit social”, shkroi Ludwig von Mises: një i bazuar në kontratë (marrëveshje vullnetare dhe reciprocitet), tjetra e bazuar në hegjemoni (“urdhër dhe nënshtrim”). Individët mund të bashkohen së bashku ose me “lidhje kontraktuale” ose “obligacione hegjemonike”.

Ky dallim është njohur nga shumë teoricienë socialë. Te Veprimi njerëzor, Mises shkroi:

“[Adam] Ferguson e përshkroi atë si kontrastin midis kombeve luftarake dhe kombeve tregtare; [Henri de] Saint Simon si kontrastin midis kombeve të egra dhe kombeve paqësore ose industriale; Herbert Spencer si kontrastin midis shoqërive të lirisë individuale dhe atyre të një strukture militante; [Werner] Sombart si kontrastin midis heronjve dhe tregtarëve”.

Marksistët dhe nazistët po ashtu paraqisnin binarë të ngjashëm, siç shtjelloi Mises. Mendimtarët e ndryshëm i vlerësuan opsionet shoqërore ndryshe, por ata ranë dakord për dikotominë dhe se, siç tha Mises, “asnjë parim i tretë nuk është i mendueshëm dhe i realizueshëm”.

Dy parimet e kundërta të bashkëpunimit krijojnë dy mënyra shumë të ndryshme që njerëzit të lidhen me njëri-tjetrin në shoqëri, siç shpjegoi Mises:

“Për aq sa bashkëpunimi bazohet në kontratë, lidhja logjike ndërmjet individëve bashkëpunues është simetrike. Ata janë të gjithë palë në kontratat e shkëmbimit ndërpersonal. Xhoni ka të njëjtën lidhje me Tomin siç ka Tomi me Xhonin”.

Edhe nëse “Xhoni” do të ishte John Mackey, themeluesi milioner dhe deri vonë Shefi Ekzektiv i Whole Foods Market, dhe “Tomi” të ishte një arkëtar i Whole Foods, marrëdhënia midis punëdhënësit të pasur dhe punonjësit jo të pasur do të ishte ende simetrike.

Xhoni ofron vullnetarisht paga në para në këmbim të shërbimeve të punës së Tomit dhe Tomi ofron vullnetarisht shërbime të punës në këmbim të pagave në para. Të dy kanë rënë dakord për marrëveshjen dhe të dy janë të lirë të largohen prej saj. Xhoni në çdo kohë mund ta pushojë Tomin nga puna dhe Tomi në çdo kohë mund të largohet. Pavarësisht gjithë pasurisë dhe famës së tij, Xhoni nuk mund ta detyrojë Tomin të punojë në kasë.

Mises vazhdoi: “Për aq sa bashkëpunimi bazohet në urdhër dhe nënshtrim, është njeriu që urdhëron dhe janë ata që i binden urdhrave të tij. Marrëdhënia logjike midis këtyre dy klasave të njerëzve është asimetrike. Ka një drejtues dhe ka njerëz nën kujdesin e tij. Vetë drejtuesi zgjedh dhe drejton; të tjerët, njerëzit nën tutelën e tij, janë thjesht pengje në veprimet e tij”.

Për shembull, nëse Xhoni në vend të kësaj do të ishte një feudal dhe Tomi do të ishte bujkrobi i tij fshatar, marrëdhënia midis të dyve do të ishte shumë asimetrike. Xhoni mund ta detyronte Tomin të punonte tokat e Xhonit dhe gjithashtu të merrte një pjesë të prodhimit të zotërimeve të vetë Tomit përmes taksave dhe tarifave. Zgjedhja e vetme e Tomit është t’i nënshtrohet këtyre kërkesave ose të vritet. Siç shkroi Mises:

“Përballë zgjedhjes midis pasojave të bindjes dhe mosbindjes, njeriu nën tutelë preferon të parën dhe kështu integrohet në lidhjen hegjemoniste... (…)

Brenda trupit hegjemonik shoqëror dhe për aq sa ai drejton sjelljen e vartësve të tij, vepron vetëm drejtuesi. Personat nën tutelë veprojnë vetëm në zgjedhjen e vartësisë; pasi kanë zgjedhur një herë nënshtrimin, ata nuk veprojnë më për veten e tyre…”.

Kur themeluesit amerikanë dhe liberalët e tjerë klasikë mbrojtën “barazinë”, ata nuk po bënin thirrje për zotërime të barabarta. Ata po përpiqeshin të zhduknin absolutizmin, feudalizmin dhe skllavërinë. Ata mbështesnin simetrinë e marrëdhënieve njerëzore karakteristike për lidhjet kontraktuale dhe kundërshtonin asimetrinë e marrëdhënieve njerëzore karakteristike për lidhjet hegjemonike.

Një asimetri e tillë mund të jetë një fyerje për ndjenjën e drejtësisë. Por shoqëritë hegjemonike nuk janë vetëm të shëmtuara, por edhe pa mend. Nëse vepron vetëm drejtuesi, mendon vetëm drejtuesi. Kur qeniet njerëzore shtyhen rrotull si bagëtia, mendjet e tyre shkojnë dëm. Krijimtaria, gjykimi, talentet unike dhe njohuritë e tyre lokale nuk lejohen të përdoren në mundësitë dhe sfidat e shumta të jetës.

Vetëm shoqëritë kontraktuale mund të përdorin plotësisht atë që Julian Simon e quajti “burimi përfundimtar”, mendja njerëzore, në një shkallë masive. Vetëm bashkëpunimi vullnetar i decentralizuar mund të koordinojë kontributet krijuese të turmave.

Kjo është arsyeja pse, siç tha Mises, qytetërimi i përparuar është një arritje e atyre “që kanë bashkëpunuar sipas modelit të koordinimit kontraktual”. Përparimi historik i shoqërisë nga barbarizmi luftarak dhe i varfëruar në qytetërim paqësor dhe të begatë ka qenë një histori e urdhrave që i kanë lënë vendin kontratave, e hegjemonisë së detyrueshme që i ka lënë vendin harmonisë vullnetare.

Ky artikull është kortezi e Dan Sanchez dhe The Foundation for Economic Education, sipas një licence Creative Commons Attribution 4.0 International License. Origjinali mund të gjendet këtu.