Kapërce te përmbajtja
Kreu
KreuHistoria jonëProjekteBëjeni tuajin librinBibliotekaRrjeti

Liria ekonomike është e rëndësishme për ndryshueshmërinë e të ardhurave ndër breza

Vincent Geloso
1.1.70

Pabarazia është një temë e nxehtë politike. Po kështu edhe ndryshimi i të ardhurave. Gjatë viteve të fundit, shumë ekonomistë kanë folur për marrëdhënien negative midis pabarazisë së të ardhurave dhe ndryshimit të tyre. Në media, puna e tyre është e njohur si "Kurba e Getsbit të Madh", duke iu referuar romanit të F. Scott Fitzgerald të vitit 1925.

Kurba e Getsbit të Madh përcjell një ide të thjeshtë, por të fuqishme. Nëse e shprehni pabarazinë e të ardhurave në njërin bosht dhe ndryshueshmërinë e të ardhurave ndër breza (d.m.th. mundësia që të jeni mbi kategorinë e të ardhurave të prindërve tuaj) në boshtin tjetër, do të vini re një marrëdhënie të kundërt. Aty ku pabarazia është më e madhe, ndryshueshmëria e të ardhurave ndër breza është më e dobët. Duke qenë se çdo gjë tjetër është e barabartë, nëse keni lindur në përqindjen e kuintilit më të ulët të shkallës së të ardhurave në një shoqëri të pabarabartë, keni më pak gjasa të ngjiteni në përqindjen e kuintilit të lartë, sesa bashkëmoshatari juaj i lindur në përqindjen e kuintilit më të ulët në një shoqërie më pak të pabarabartë.

Kjo nuk do të thotë që të ardhurat tuaja nuk do të rriten në krahasim me ato të prindërve tuaj. Kjo do të ishte tregues i "ndryshueshmërisë absolute". Kurba e Getsbit të Madh flet për "ndryshueshmërinë relative". Një shoqëri e pandryshueshme do të ishte ajo ku fëmijët e lindur në kuintilin më të ulët të të ardhurave të popullsisë do të mbeten në kuintilin më të ulët edhe nëse arrijnë të jenë më mirë financiarisht se prindërit e tyre.

Pse do të ekzistonte një lidhje midis pabarazisë së të ardhurave dhe ndryshueshmërisë të tyre ndër breza? Përgjigja është e thjeshtë: aftësia për të përfituar nga mundësitë. Nëse keni lindur në një familje të pasur, është më e lehtë që të përdorni pasurinë e familjes suaj për të shfrytëzuar mundësitë që nuk do të kishit mundur t'i shfrytëzonit ndryshe. Nga ana tjetër, njerëzit me të ardhura më të ulëta janë të kufizuar për shkak të mungesës së burimeve. Le ta ilustrojmë këtë: nëse shkollimi është një mënyrë për të fituar më shumë se prindërit tuaj dhe kostoja e shkollimit është më e madhe për të varfrit (edhe shumë vite të tjera pa punë dhe pak kursime për të përdorur), të pasurit do të kenë më shumë gjasa të investojnë në shkollimin e tyre.

Ky shpjegim është fare i thjeshtë. Ekzistojnë gjithashtu shumë dëshmi empirike që sugjerojnë se ky është një fakt i rëndësishëm ekonomik. Pavarësisht kësaj, kjo nuk do të thotë se është një ngjarje fatale. Në fakt, literatura që ka nxjerrë Kurbën e Getsbit të Madh tenton të theksojë rolin mekanik të pabarazisë, ku pabarazia ka ndikim negativ që është kudo e njëjtë. Në përgjithësi, roli i institucioneve mungon, përveçse kur diskutohen mjetet kompensuese për ndryshueshmërinë e ulët (d.m.th., rishpërndarje më e madhe, më shumë investime nga shteti në arsim etj.).

Problem është mungesa e përfshirjes së institucioneve. Në të vërtetë, institucionet mund të zbusin efektin e pabarazisë së të ardhurave, nëse njerëzit nga të gjitha klasat e të ardhurave janë ligjërisht të aftë dhe të stimuluar për të investuar në veten e tyre. Për shembull, imagjinoni sikur një qeveri të vendosë pengesa të shumta për profesionet joakademike si parukeri, gjelbërim, dizajn i brendshëm ose murator. Këto pengesa në këto profesione e kufizojnë ligjërisht aftësinë e njerëzve për të ngjitur shkallët e të ardhurave.

Në artikullin tonë “Southern Economic Journal”, Justin Callais dhe unë argumentojmë se liria ekonomike (përfaqësuesi ynë për institucionet) është një forcë e fuqishme për të përmirësuar nivelin e të ardhurave. Argumenti ynë është se, në fakt, përveç reduktimit të pengesave ligjore, efekti i mirëdokumentuar i lirisë ekonomike në rritjen ekonomike ka më shumë rëndësi për ata që ndodhen në fund. Nëse sigurohen fitime të barabarta nga të ardhurat për të gjithë, fitimet e një të ardhure shtesë prej një për qind ofrojnë mundësi më të pakta për të varfrit, sesa për të pasurit. Duke lejuar më shumë "ndryshueshmëri absolute", liria ekonomike rrit gjithashtu "ndryshueshmërinë relative".

Në këtë artikull, ne mbështetemi në të dhënat e ndryshueshmërisë së të ardhurave relative ndër breza të publikuara nga Banka Botërore për më shumë se 120 shtete. Vlerësimet e bankës, të cilat bazohen në personat që kanë lindur në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980, janë më të disponueshme për një gamë të gjerë shtetesh.

Më pas ne krahasojmë vlerësimet e pabarazisë së të ardhurave dhe lirisë ekonomike përmes një sërë testesh të ndryshme.

Kur përdoret indeksi i kombinuar i lirisë ekonomike, ne zbulojmë se ai është i krahasueshëm me efektet e pabarazisë së të ardhurave. Megjithatë, kjo ndoshta e nënvlerëson rëndësinë e lirisë ekonomike, pasi disa komponentë të indekseve që matin lirinë ekonomike rezultojnë me efekte të paqarta. Madhësia e qeverisë, për shembull, mund të rrisë dhe zvogëlojë ndryshueshmërinë ndër breza. Ajo ul ndryshueshmërinë përmes ndikimit të taksave më të larta që dekurajojnë investimet (veçanërisht investimet në kapitalin njerëzor).

Ajo gjithashtu mund të rrisë ndryshueshmërinë nëse taksat përdoren për të financuar programe arsimore nga të cilat në mënyrë disproporcionale përfitojnë ata që janë në fund të shkallës së të ardhurave. Në këtë drejtim, ekzistojnë vlera në ndarjen e komponentëve të ndryshëm të indeksit të lirisë ekonomike.

Kur e bëjmë këtë, zbulojmë se rregulloret dhe siguria e të drejtave pronësore janë jashtëzakonisht të fuqishme. Këta dy nënkomponentë të indeksit të lirisë ekonomike janë më të fuqishëm se pabarazia e të ardhurave.

Ne vlerësojmë gjithashtu efektin e lirisë ekonomike dhe pabarazinë e të ardhurave ndaj njëri-tjetrit para moshës madhore. Motivimi ynë për të marrë në konsideratë nivelet para moshës madhore të lirisë ekonomike dhe pabarazisë së të ardhurave është se niveli i të dy ndryshoreve në atë periudhë është më i rëndësishëm, sepse proceset testuese kushtojnë më pak kur dikush është më i ri. Një liri më e madhe ekonomike dhe më pak pabarazi në të ardhura mundëson më shumë prova (dhe shpresojmë më pak gabime) përpara se njeriu të arrijë moshën madhore. Rrjedhimisht, ne përdorëm nivelin "jetësor" të të dy ndryshoreve për të arritur këtë mekanizëm. Përsëri, ne zbulojmë se liria ekonomike është përgjithësisht një përcaktues më i fuqishëm i ndryshueshmërisë së të ardhurave, sesa pabarazia.

Roli i nënvlerësuar i lirisë ekonomike dhe i institucioneve në përcaktimin e ndryshueshmërisë së të ardhurave ndër breza është ndoshta një nga neglizhencat më problematike të literaturës mbi lëvizshmërinë e të ardhurave. Kur këshillojnë ligjvënësit, ekonomistët theksojnë shpesh mjetet kompensuese që mbështeten në më shumë rishpërndarje ose së paku, në rishpërndarje më të synuar. Në të kundërt, parimi i përgjithshëm që sugjerohet në bazë të rezultateve tona është se të kesh më pak është më mirë se të kesh më shumë. Ose në këtë rast, të kesh më shumë liri ekonomike është më mirë se të kesh më pak.

Ky artikull është kortezi e Vincent Geloso dhe Institutit Amerikan për Kërkime Ekonomike, i përdorur me lejen "Creative Commons Attribution 4.0 International License". Origjinalin mund ta gjeni këtu.