Kapërce te përmbajtja
Kreu
Ekonomiksi i mendimit praktik
Çfarë duhet të dimë rreth pasurisë dhe begatisë

Elementi 1.1

Stimujt janë të rëndësishëm

Ndryshimet në përfitime dhe kosto do të kenë një ndikim të parashikueshëm te zgjedhjet.

I gjithë ekonomiksi mbështetet mbi një parim të thjeshtë: Ndryshimet e stimujve kanë ndikim të parashikueshëm në sjelljen njerëzore. Stimujt ndikohen nga faktorë monetarë dhe faktorë jomonetarë. Nëse një e mirë bëhet më e kushtueshme, njerëzit kanë më pak gjasa që ta zgjedhin atë. Nga ana tjetër, kur përfitimet që rrjedhin nga përzgjedhja e një alternative rriten, do të ketë më shumë gjasa që njerëzit ta zgjedhin atë. Kjo ide e thjeshtë, ndonjëherë e njohur si postulat themelor i ekonomiksit, paraqet një vegël të fuqishme, sepse aplikohet pothuajse në gjithçka që bëjmë.

Ka më pak gjasa që njerëzit të përzgjedhin një alternativë, kur çmimi i saj rritet. Mendoni pak për rrjedhojat e këtij pohimi. Kur një person nxiton për të mbërritur në kohë në një takim, ka pak gjasa që ai të ndalojë dhe të takohet me ndonjë mik. Pak janë ata që do të zgjedhin të shkojnë në një piknik në një ditë të ftohtë dhe me shi. Çmimet e larta çojnë në rënien e sasisë së njësive të shitura. Përqindja e pjesëmarrjes në sallat e universitetit do të jetë nën nivelin mesatar në ditën para pushimeve të shkollës. Në secilin rast, shpjegimi është i njëjtë: Sa më e kushtueshme të bëhet alternativa që mendojmë të përzgjedhim, aq më të pakta janë gjasat që ta zgjedhim atë.

Sipas të njëjtës logjikë, kur përfitimi nga një zgjedhje rritet, njerëzit do të jenë më të prirur ta zgjedhin atë. Ka më shumë gjasa që një person i cili është duke ecur rrugës të përkulet për të kapur një euro ose dollar, sesa një qindarkë. Studentët do të jenë më të vëmendshëm në mësim nëse materiali që po shpjegohet do të jetë pjesë e provimit. Konsumatorët do të blejnë më shumë nga dyqanet që ofrojnë produkte me çmime të lira, shërbim më të mirë dhe që kanë vendndodhje më të leverdishme. Punonjësit do të punojnë më shumë dhe me më shumë efiçencë nëse ata do shpërblehen për punën që bëjnë. Të gjitha këto situata janë shumë të parashikueshme dhe reflektojnë fare mirë postulatin e “rëndësisë së stimujve” në ekonomi.

“Fuqia e stimujve” nga Duajt Li (Dwight Lee)
Lexim suplementar • Kliko për ta shkarkuar (64 KB)

Ky postulat themelor shpjegon se si ndryshimet në çmimet e tregut ndikojnë në stimujt që përshtatin veprimet midis blerësve dhe shitësve. Nëse blerësit duan të blejnë prej një produkti më shumë sesa prodhuesit janë të gatshëm (ose në gjendje) të ofrojnë, atëherë shumë shpejt çmimi i tij do të rritet. Teksa çmimi rritet, shitësit do të jenë të gatshëm të ofrojnë më shumë prej këtij produkti, ndërsa blerësit do të priren të blejnë më pak. Kjo situatë do të çojë në rënien e çmimit dhe do të vazhdojë derisa të arrihet ai çmim që barazon sasinë e ofruar me atë të kërkuar, pra kërkesa dhe oferta të jenë në ekuilibër. Në këtë moment çmimi stabilizohet.

Çfarë ndodh nëse rezulton e kundërta: nëse shitësit ofrojnë më shumë sesa blerësit janë të gatshëm të blejnë? Nëse shitësit nuk janë në gjendje të shesin produktet e tyre me çmimin ekzistues, atyre do t’u duhet të ulin çmimin e produktit. Nga ana tjetër, çmimi i ulët do t’i nxisë njerëzit që të blejnë më shumë - gjithashtu do të detyrojë prodhuesit që të prodhojnë krahasimisht më pak, duke qenë se atyre nuk u leverdis që të ofrojnë produktin me çmimin e ri më të ulët. Përsëri, ndryshimet në çmim ndikojnë në baraspeshimin e sasisë së kërkuar nga konsumatorët me sasinë e ofruar nga prodhuesit. Në këtë pikë mund të themi se nuk ka më trysni për të ndryshuar çmimet.

Për shembull, për shkak të motit të keq, çmimi i pjeshkëve në shtetin amerikan të Xhorxhias në verën e vitit 2014 u rrit me 180% krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht kësaj rritjeje të lartë të çmimit, konsumatorët nuk u ankuan. Pse? Sepse prej çmimit më të lartë, pjeshkët u bënë më të kushtueshme për t’u blerë dhe shumë konsumatorë i zëvendësuan ato lehtësisht me fruta të tjera, plotësisht ose pjesërisht, dhe e bënë reçelin për dimër me dardha ose ftonj.

Nga ana tjetër, ndaj rritjes se çmimit reaguan edhe shitësit. Të stimuluar nga çmimet e larta dhe përfitimet e larta që ky çmim gjeneronte, fermerët që furnizonin tregun me pjeshkë nisën të mbjellin pemë të tjera. Ndërsa disa të tjerë i prenë blloqet e mollëve dhe dardhave duke i rimbjellë ato me pjeshkë. Rrjedhimisht, pas dy vitesh (kur pemët e reja hynë në prodhim) me rritjen e sasisë së ofruar të pjeshkëve në treg, çmimi i pjeshkëve u ul.

Stimujt ndikojnë edhe mbi zgjedhjet politike. Njërëzit sillen njëlloj kur bëjnë zgjedhje në një qendër tregtare dhe në një qendër votimi. Në shumicën e rasteve votuesit do të mbështesin atë kandidat politik apo ato politika që ata besojnë se do t’u sigurojë atyre më shumë të mira personale, me sa më pak kosto. Ata do të priren të kundërshtojnë ato alternativa politike që kanë kosto më të larta personale krahasuar me të mirat që ata presin të marrin. Për shembull, të moshuarit kanë votuar shumë herë kundër kandidatëve dhe propozimeve që do të sillnin uljen e pensioneve të tyre. Qëndrimi kundër propozimit për uljen e pensioneve ishte shkaku kryesor i rezultateve të dobëta të partisë Rusia e Bashkuar në zgjedhjet e shtatorit 2018 për guvernator të Rusisë. Sipas të njëjtës logjikë, sondazhet tregojnë se studentët mbështesin më shumë bursat arsimore për studentët e universiteteve.

Nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur rëndësinë që kanë stimujt. Ato janë pjesë e natyrës njerëzore. Stimujt kanë rëndësi në po aq sa edhe në . Në ish-Bashkimin Sovjetik, drejtuesit dhe punonjësit e fabrikave të qelqit, fillimisht, shpërbleheshin në varësi të tonazhit të fletëve të xhamit që prodhonin. Për shkak se të ardhurat e tyre vareshin nga pesha e xhamit, shumica e fabrikave filluan të prodhonin xhama aq të trashë sa nuk mund të shikoje përmes tyre. Si rezultat, u pa e arsyeshme të ndryshonin rregullat e shpërblimit pra pagesat u vlerësuan sipas sipërfaqes së xhamave të prodhuar. Në zbatim të rregullave të reja, fabrikat sovjetike për të rritur sipërfaqen e xhamit, filluan të prodhonin xhama aq të hollë sa thyheshin shumë lehtë. Në mënyrë të ngjashme, kur u caktuan kuotat për numrin e këpucëve për fabrikat polake, të cilat furnizoheshin me shumë pak lëkurë, a është për t’u habitur që tregu u mbush me këpucë për fëmijë?

Disa njerëz mendojnë se stimujt kanë rëndësi vetëm kur njerëzit janë lakmitarë dhe egoistë. Kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit veprojnë për arsye të ndryshme, disa të prirur nga egoizmi dhe disa të prirur nga dashamirësia. Zgjedhjet e të dy grupeve edhe të egoistëve edhe të altruistëve, ndikohen nga ndryshimet e kostove dhe përfitimeve personale. Për shembull, si egoisti ashtu edhe altruisti, kanë më shumë gjasa që të ndihmojnë një fëmijë që është duke u mbytur në një pishinë me pak ujë, sesa në rrymat e vrullshme në zgrip të ujëvarës Dettifoss. Gjithashtu të dy këta tipa janë më të gatshëm t’i japin një nevojtari rrobat e tyre të përdorura sesa ato të reja.

Edhe pse asnjë nuk mund ta akuzojë Nënë Terezën, filantropen e ndjerë shqiptare, për lakmi, interesi i saj personal ka bërë që edhe ajo të ndikohej nga stimujt. Kur organizata e Nënë Terezës, “Misionaret e Bamirësisë”, tentoi të hapte një qendër për të pastrehët në qytetin e Nju Jorkut, bashkia u kërkoi që të bënin modifikime të kushtueshme në ndërtesë. Organizata e braktisi projektin. Ky vendim nuk e ndikoi përkushtimin që kishte Nënë Tereza për njerëzit në nevojë. Ai thjesht reflektoi ndikimin e stimujve. Kur kosto e ndihmës së të varfërve në Nju Jork u rrit, Nënë Tereza vendosi që burimet e saj do të ishin më të dobishme në një qytet tjetër. Ndryshimet e stimujve ndikojnë zgjedhjen e gjithsecilit, pavarësisht qëllimeve, që mund të jenë lakmitare dhe materialiste nga njëra anë apo të mëshirshme dhe altruiste nga ana tjetër.

Dëshironi më shumë? Shkarkojeni të gjithë librin tani falas!

I disponueshëm gjithashtu edhe në gjuhën angleze, armene, gjeorgjiane, ruse, ukrainase dhe në gjuhën uzbeke! Vjen së shpejti në gjuhën azerbajxhanase, kazake dhe kirgize.