Kapërce te përmbajtja
Kreu
KreuHistoria jonëProjekteBëjeni tuajin librinBibliotekaRrjeti
HomeArticles
Facebook

Efektet e rritjes së pagës minimale në Kosovë

Alban Zogaj, Rinor Kastrati
14.5.22

Nisma e Qeverisë për rritje të pagës minimale nuk është e mbështetur në të dhëna, por është një vendim i shpejtë, i paanalizuar, dhe i nxitur kryesisht nga ideologjia.

Ditë më parë, Qeveria e re Kurti II prezantoi “Programin Qeverisës 2021-2025”, sipas të cilit planifikohet ngritja e pagës minimale nga 170 EUR sa ishte më parë në 250 EUR për muaj. Qëllimi i kësaj nisme natyrisht se është i mirë dhe pozitiv, pasiqë paga e dinjitetshme është parakusht dinjitetin e individit, por edhe zhvillim i mirëqenies shoqërore në përgjithësi. Andaj, ne të gjithë angazhohemi për paga më të larta. Megjithkëtë, qëllimet e mira jo domosdoshmërisht sjellin rezultate të mira. Me një nivel kaq të lartë të papunësisë (rreth 30%) në vendin tonë, tash është koha më e papërshtatshme për një politikë të tillë. Ekonomistët pajtohen (e kjo është gjë relativisht e rrallë) se ngritja e pagës minimale ul numrin e vendeve të punës. Për më tepër, ne vazhdimisht argumentojmë se janë punëtorët e niveleve të ulëta, dhe sidomos te rinjët, apo ata që sapo fillojnë punën, të cilët goditen më së shumti nga kjo politikë. Siç kishte theksuar ekonomisti Milton Friedman, fitues i çmimit Nobel për ekonomi, “ligji i pagës minimale më së miri përshkruhet si një ligj që thotë se punëdhënësit duhet të diskriminojnë punëtorët me aftësi të ulta.” Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020 shkalla e papunësisë tek të rinjët (15-24 vjeç) ishte afër 50%. Pra, përafërsisht çdo i dyti i ri është i papunë. Duke e njohur këtë fakt, gjatë fushatës zgjedhore, por edhe bazuar në Programin e Qeverisë 2021-2025, Kryeministri Kurti ka premtuar vende pune për të rinjët. Në këtë sfond, rritja e pagës minimale vetëm se do t’ua vështirësojë atyre punësimin. Ndonëse punësimi nën pagën minimale të planifikuar nuk ofron kurrfarë jete të dinjitetshme për të rinjët, së paku i’u jep atyre një shans që, duke filluar me punë të tregojnë aftësitë e tyre, dhe të sigurojnë një punësim të qëndrueshëm me pagë të dinjitetshme. Me një pagë minimale të lartë, ata nuk do të mund të kenë këtë shans për të konkurruar me ata që kanë më shumë përvojë. Nga pikëpamja ekonomike, puna duhet parë si çdo input tjetër. Si e tillë, puna detyrimisht që duhet t’i nënshtrohet ligjeve të tregut, më specifikisht ligjeve të kërkesës dhe ofertës. Ky në vazhdim është mësimi bazë i ekonomiksit, kur çmimi i një produkti rritet – nëse i izolojmë faktorët tjerë – sasia e kërkuar për atë produkt apo shërbim do të ulet. Pra, nëse rritet çmimi i punës, që është paga, bizneset do të punësojnë më pak punëtorë ose edhe do të largojnë disa prej tyre. Poashtu, kur çmimi i një produkti/shërbimi rritet – nëse i izolojmë faktorët tjerë – sasia e ofruar e atij produkti/shërbimi do të rritet. Pra, nëse çmimi i punës rritet, më shumë punëtorë do të hyjnë në tregun e punës, duke u kthyer në të papunë. Në këtë këndvështrim, rritja e pagës minimale, sidomos në rrethanat aktuale në Kosovë, do të përkthehet në rritje të papunësisë, për shkak të uljes së kërkesës për ta, për shkak të largimit eventual të punëtorëve nga puna, dhe për shkak të hyrjes së punëtorëve të rinj në tregun e punës. Por, jo vetëm! Duke pasur parasysh ekonominë e Kosovës dhe informalitetin e lartë, ne konsiderojmë se kjo politikë (nëse zbatohet me sukses), në fakt, do të rrisë informalitetin në tregun e punës në Kosovë. Shumë prej punëtorëve do të jenë të gatshëm të punojnë nën pagën minimale të caktuar (pra me pagë nën 250 EUR në muaj), dhe normalisht marrëdhënien e punës do ta formojnë pa kontratë, në tregun informal të punës. Bazuar në këtë rrafsh teorik, Qeveria duhet të tregojë se cilat janë parashikimet e saj rreth efekteve të rritjes së pagës minimale në nivelin e papunësisë, në nivelin e informalitetit dhe në segmente të tjera të tregut të punës. Njëkohësisht, Kuvendi duhet të sigurohet që luan rolin e tij mbikqyrës, duke kërkuar detaje të hollësishme nga Qeveria rreth implikimeve të nismës për rritje të pagës minimale. Qeveria duhet të paraqesë studimin mbi të cilin e bazon këtë politikë, ku paraqiten të dhënat lidhur me atë se sa është numri i punëtorëve të cilët aktualisht kompenzohen me pagë më të ulët se sa paga minimale e planifikuar; të paraqes se në cilat profesione ata janë të përfshirë; dhe të tregojë se cilat biznese kryesisht i punësojnë ata, në mënyrë që të ketë një pasqyrë të qartë rreth kësaj politike. Lidhur me synimin e saj për të zbutur pabarazinë, Qeveria duhet të tregojë se sa punëtorë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale. Ndërlidhur me këtë, Qeveria duhet të tregojë se në çfarë niveli do të dëmtohen bizneset të cilat punësojnë këta punëtorë. Qeveria duhet të tregojë parashikimet e saj rreth asaj se sa punëtorë do të humbin vendet e punës si rezultat i rritjes së pagës minimale. Njëkohësisht, Qeveria duhet të tregojë se sa prej punëtorëve që humbin punën do të përfshihen në skema sociale, dhe për çfarë niveli do të rëndohet barra e Qeverisë nga përfshirja e tyre në to. Më lartë, në shpjegimin teorik, ne pohuam se rritja e pagës minimale detyrimisht do ta rritë papunësinë, dhe këtë e bëmë nën supozimin se Qeveria ka kapacitet të bëjë bizneset të zbatojnë në plotni politikën e pagës miminale. Mirëpo, për shkak të informalitetit të lartë, realisht papunësia do të rritet për një nivel më të vogël se sa pritjet teorike, pasiqë një pjesë e punëtorëve që do të humbnin punën thjesht do të detyrohen të kalojnë në informalitet. Së këndejmi, Qeveria duhet të tregojë se sa prej tyre do të detyrohen nga punëdhënësit e tyre të dalin në informalitet dhe për çfarë niveli do të dekurajohen bizneset për të zhvendosur punëtorët informal në ekonomi formale. Për fund, Qeveria duhet të ofrojë një analizë kost-benefit të nismës së saj për rritje të pagës minimale. Në njërën anë, do të zbutet pabarazia në një aspekt, e në anën tjetër, do të ulet konkurrueshmërinë e bizneseve, do ta rritet papunësia, dhe do ta rritet informaliteti në tregun e punës. Këto dëme pastaj do të mund ta rrisin edhe më shumë pabarazinë. Nisma e Qeverisë për rritje të pagës minimale nuk është e mbështetur në të dhëna, por është një vendim i shpejtë, i paanalizuar, dhe i nxitur kryesisht nga ideologjia. Si e tillë, ajo do të mund të jetë shumë e dëmshme pikërisht për njerëzit që Qeveria synon t’iu dalë në ndihmë, e që janë shtresat më të varfëra të shoqërisë. Njëkohësisht, Kuvendi duhet të jetë i zëshëm në kërkesën e tij që Qeveria të mos merr vendim të shpejt pa i shqyrtuar hollësisht të gjitha implikimet e atij vendimi.